E Martë, 3 Nëntor 2026

TEHERAN – Një sulm izraelit godet televizionin shtetëror iranian

TEHERAN, 16 qershor /ATSH-ANSA-AFP/ – Një sulm izraelit ka goditur televizionin shtetëror iranian, sipas disa medieve në Teheran.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha sot më parë se Transmetimi Shtetëror Iranian (IRIB) ishte “në prag të zhdukjes”, pasi ushtria u bëri thirrje banorëve të evakuojnë zonën përreth selisë së saj në verilindje të Teheranit.

“Zëdhënësi i propagandës dhe nxitjes iraniane është në prag të zhdukjes. Evakuimi i banorëve të afërt ka filluar”, tha Katz në një deklaratë.

Ushtria izraelite më parë u bëri thirrje banorëve të një zone në një rreth në verilindje të Teheranit të evakuohen, në pritje të sulmeve ndaj “infrastrukturës ushtarake që i përket regjimit iranian”.

Kjo zonë e Distriktit të Tretë të Teheranit është një lagje luksoze e kryeqytetit iranian, ku ndodhet një ndërtesë e madhe policie dhe stacioni publik radioteleviziv IRIB, i cili transmeton kryesisht në Iran, por edhe jashtë vendit.

Lagjja gjithashtu strehon ambasadat e Katarit, Omanit dhe Kuvajtit, një zyrë të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të Kombeve të Bashkuara si dhe zyrën e AFP dhe disa spitale.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Effie Defrin, tha se Izraeli tani kishte “superioritet të plotë ajror në qiell mbi Teheranin”.

Megjithatë, televizioni shtetëror iranian rifilloi transmetimet drejtpërdrejt pas një ndërprerjeje të shkurtër të shkaktuar nga ky sulm, sipas një zyrtari të transmetimit.

“Regjimi sionist, armiku i kombit iranian, kreu një operacion ushtarak pak minuta më parë kundër rrjetit të lajmeve të Republikës Islamike të Iranit”, tha Hassan Abedini, duke shtuar se “regjimi (izraelit) nuk ishte në dijeni se zëri i Revolucionit Islamik (…) nuk mund të heshtte nga një operacion ushtarak”./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›