SHBA – Arrestohet i dyshuari për vrasjen e politikanes demokrate dhe bashkëshortit të saj në Minesota

ROMË, 16 qershor /ATSH-ANSA/- Autoritetet kanë arrestuar personin e dyshuar për vrasjen e ligjvënëses së shtetit të Minesotës, Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj.
Sipas “New York Times”, duke cituar autoritetet, kërkimi zgjati dy ditë.
Vance Boelter ishte arratisur pasi vrau ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Minesotës, Melissa Hortman dhe bashkëshortin e saj – dhe plagosi një ligjvënës tjetër demokrat nga shteti, John Hoffman, dhe bashkëshorten e tij.
Te shtunen, Vance Boelter qëlloi me armë zjarri ndaj politikanes demokrate Melissa Hortman dhe bashkëshortit të saj, të cilët u vranë në një sulm – dukshëm i motivuar politikisht.
“Incidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e çiftit në qytetin Brooklyn Park”, thanë autoritetet.
Në një sulm tjetër në Champlin aty pranë, një ligjvënës tjetër demokrat nga shteti, John Hoffman, dhe bashkëshortja e tij u plagosën rëndë.
I dyshuari thuhet se e ka identifikuar veten si oficer policie. Gjatë një konfrontimi me policinë, ai hapi zjarr dhe arriti të arratisej.
Autoritetet në Brooklyn Park thanë se kishin gjetur shkrime – që përmendnin emrat e disa ligjvënësve – në makinën e rreme të policisë – të përdorur nga i dyshuari që qëlloi për vdekje ish-kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Minesotës, Melissa Hortman, dhe plagosi senatorin e shtetit John Hoffman. //a.i/