E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

SHBA - Demokratët fitojnë një vend në Senat, në Kansas, për herë të parë pas 94 vitesh - ATSH -

 UASHINGTON, 4 nëntor /ATSH-DPA/ – Demokratët kanë fituar një vend në Senatin amerikan në shtetin e Kansasit për herë të parë në 94 vjet, sipas projeksioneve të mediave amerikane. 

Kandidati demokrat Adam Hamilton ka mposhtur senatorin republikan në detyrë Roger Marshall, i cili kishte mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump, raportuan televizionet NBC News dhe ABC.

Kansas, një shtet kryesisht bujqësor në rajonin e Mesperëndimit të SHBA-së, konsiderohet prej kohësh një bastion i republikanëve. Fakti që Marshall u përball me një sfidë serioze gjatë kësaj gare ishte konsideruar që më herët si një zhvillim i papritur.

Hera e fundit që një demokrat u zgjodh senator nga Kansas ishte në vitin 1932.

Megjithatë, sondazhet gjatë fushatës treguan një garë gjithnjë e më të ngushtë, duke bërë që presidenti Trump, i cili ishte përqendruar te garat me rezultat të pasigurt, të zhvillonte fushatë edhe në këtë shtet.

Lufta në Iran dhe rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës, si pasojë e saj, kishin nxitur pakënaqësi në rritje, veçanërisht në shtetet rurale.

Marshall, me profesion mjek, përfaqëson Kansasin në Senat që nga viti 2021. Përpara kësaj, ai kishte shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve.

Ndërsa Hamilton, pastor dhe autor, është një figurë e re në politikë. Gjatë fushatës së tij, ai kritikoi, ndër të tjera, korrupsionin në Uashington./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›