SHBA – Dy të vdekur dhe 10 të plagosur pas shpërthimit në një fabrikë çeliku në Pensilvani

PENSILVANI, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Dy punëtorë humbën jetën dhe dhjetë të tjerë u plagosën pas disa shpërthimeve në një fabrikë të “US Steel” në Pensilvani, thanë sot zyrtarët.
“Shumë shpërthime ndodhën në ‘US Steel Clairton Coke Works’”, shkroi në X guvernatori i shtetit, Josh Shapiro, duke përmendur uzinën rreth 25 kilometra larg qytetit Pitsburgh.
Ai tha se punëtorët e plagosur u transportuan në spitalet lokale, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit ndodhen në vendngjarje.
Autoritetet thanë se nëntë persona të tjerë u transportuan në spital për trajtim nga lëndime të ndryshme.
“Gjatë situatave të tilla, punonjësit e ‘US Steel’ bashkohen për të shprehur dashurinë, lutjet dhe mbështetjen për të gjithë të prekurit”, tha CEO i kompanisë, David Burrit.
Disa media amerikane raportuan se mund të ketë persona të mbetur nën rrënoja gjatë shpërthimit. /Ad.Ab./