E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump i bindur se “shkëmbimi i territoreve” do të formësojë çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

UASHINGTON, 12 gusht /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump paraqiti dje një paralajmërim për takimin e tij të shumë pritur me presidentin rus Vladimir Putin, duke thënë se shpreson për “biseda konstruktive”, dhe se nuk varet prej tij arritja e një marrëveshje paqeje.

Trump konfirmoi javën e kaluar se do të takohej me Putinin në Alaska, ndërsa afati i tij i vendosur që Moska të bjerë dakord për një armëpushim me Ukrainën erdhi dhe iku. Nuk është njoftuar asnjë kohë ose vend specifik për samitin e së premtes.

“Ky do të jetë një takim ku qëllimi kryesor është të vlerësohen mendimet, qëllimet ose situata e përgjithshme”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Mendoj se nëse nuk do të isha unë, ai nuk do të fliste me askënd tjetër tani”, tha Trump duke iu referuar Putinit.

Në të njëjtën kohë, Trump minimizoi idenë se bisedimet e së premtes do të rezultonin në përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Do të shohim se cilat janë parametrat dhe menjëherë pas takimit me Putinin – do të telefonoj presidentin Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë”, shtoi Trump.

Ai tha se nëse do të kishte një “marrëveshje të drejtë”, ai do t’ia përcillte Zelensky dhe udhëheqësve evropianë.

Trump nuk pranoi të ndante detaje specifike se çfarë do ta konsideronte një marrëveshje të drejtë midis Ukrainës dhe Rusisë, por sërish sugjeroi se do të kishte disa shkëmbime territoresh.

Ai mbetet i bindur se “shkëmbimi i territoreve” do të formësonte çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Trump tha se qëllimi i tij ishte të caktonte një takim të radhës midis Zelensky dhe Putinit ose midis tij, Zelensky dhe Putinit.

“Do të jem atje nëse do të kenë nevojë, por dua të caktoj një takim midis dy udhëheqësve”, tha Trump.

Zelensky bëri thirrje dje për të ushtruar më shumë presion global mbi Rusinë duke theksuar se Putini nuk po ndërmerrte hapa drejt paqes. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›