E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Gjykata e Lartë bllokon deportimin e dhjetëra venezuelianëve

UASHINGTON, 19 prill /ATSH-DPA/- Gjykata e Lartë e SHBA-së bllokoi përkohësisht deportimin e dhjetëra venezuelianëve me një urdhër të lëshuar sot.

Dy nga nëntë gjyqtarët – Clarence Thomas dhe Samuel Alito – kundërshtuan vendimin, i cili nuk dha arsye siç është normale në rastet urgjente.

Vendimi bllokon dëbimet deri në një urdhër të mëtejshëm të kësaj gjykate.

Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) bëri dje një kërkesë urgjente në gjykatë – për të ndaluar dëbimet e afërta nga Teksasi.

Sipas raportimeve të medieve, emigrantët do të ishin dërguar në El Salvador në Amerikën Qendrore.

Venezuelianët akuzohen si anëtarë të organizatës kriminale “Tren de Aragua”.

ACLU tha se venezuelianëve nuk u ishte ofruar procesi i duhur. Nuk ishte e qartë nga vendimi i Gjykatës së Lartë se sa kohë do t’u jepej venezuelianëve për të kundërshtuar dëbimin nga SHBA-ja.

Administrata e presidentit Donald Trump, e cila ka ndjekur një linjë të ashpër për emigracionin që nga marrja e detyrës në janar, nuk ka komentuar ende.

Muajin e kaluar, autoritetet amerikane deportuan më shumë se 200 venezuelianë dhe dhjetëra salvadoranë në burgun famëkeq CECOT të sigurisë së lartë, në El Salvador.

“Tren de Aragua” përshkruhet si një bandë e dhunshme venezueliane – e përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore dhe drogës – dhe është renditur si një organizatë e huaj terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Baza ligjore për dëbimet mbështetet në Aktin e armiqve të huaj të vitit 1798 – një ligj i diskutueshëm dhe i përdorur rrallë që lejon presidentin të dëbojë të huajt gjatë luftës ose pushtimit.

Ai u përdor gjatë dy luftërave botërore për të internuar shtetas japonezë dhe gjermanë. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›