E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – JD Vance viziton Hungarinë për të mbështetur kandidaturën e Orbanit për rizgjedhje

BUDAPEST, 7 prill /ATSH-DPA/- Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance mbërriti sot në Hungari në një përpjekje për të ndryshuar rrjedhën e fushatës zgjedhore, ku kryeministri hungarez prej kohësh në detyrë, Viktor Orban, një aleat i afërt i Donald Trump, rezulton në disavantazh në sondazhe.

Vizita dyditore e Vance, gjatë së cilës ai pritet të zhvillojë një takim zyrtar me Orban dhe më pas të marrë pjesë në një miting elektoral të tij, shihet si sinjali më i qartë deri tani se administrata Trump po angazhohet fuqishëm për një fitore të Orban në zgjedhjet që do të mbahen të dielën.

Vance dhe bashkëshortja e tij, Usha Vance, u pritën në aeroportin e Budapestit nga ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó.

Dy zyrtarët u përshëndetën ngrohtësisht, ndërsa Szijjártó i dhuroi Usha Vance një buqetë me lule.

Szijjártó deklaroi për mediat shtetërore nga aeroporti se Vance është zëvendëspresidenti i parë amerikan që viziton Hungarinë që nga viti 1991, si dhe zyrtari amerikan i rangut më të lartë që ndodhet në vend që prej vitit 2006.

Vance, i cili së bashku me presidentin Donald Trump e ka mbështetur fuqimisht Orbanin, do të mbajë një fjalim në një tubim zgjedhor me kryeministrin në një qendër sportive në Budapest sot në mbrëmje.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, tema e fjalimit të tij do të jetë partneriteti i pasur dypalësh midis dy vendeve.

Përpara tubimit, Vance dhe Orban do të zhvillojnë bisedime dhe do të japin një konferencë për shtyp.

Sondazhet parazgjedhore kanë sugjeruar për muaj të tërë se Orban, i cili ka qenë në pushtet vazhdimisht që nga viti 2010 dhe më parë ka mbajtur pushtetin midis viteve 1998 dhe 2002, mund të humbasë zgjedhjet e së dielës.

Populisti i krahut të djathtë, i cili mbështet demokracinë “joliberale”, mban marrëdhënie të mira me administratën Trump dhe me presidentin rus Vladimir Putin. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›