E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu vizitë në komunitetin arbëresh në Itali: Tradita dhe gjuha shqipe vazhdojnë të përcillen ndër breza

TIRANË, 7 prill /ATSH/ Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu zhvilloi vizitë zyrtare në Itali, ku ndaloi në Horën e Arbëreshëvet, një ndër qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh dhe të ruajtjes së trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë kësaj vizite, Spahiu zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë, Rosario Petta, me të cilin diskutoi mbi mundësitë e forcimit të bashkëpunimit institucional dhe ruajtjen e mëtejshme të lidhjeve kulturore e historike mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh në Itali.

Në vijim të qëndrimit të saj, zëvendëskryetarja e Kuvendit mori pjesë në ceremonitë e festës së Pashkës, ku komuniteti arbëresh, së bashku me bashkatdhetarë nga vende të ndryshme, kremtoi këtë ditë të shenjtë në përputhje me traditat e trashëguara ndër breza. Ceremonitë u karakterizuan nga përdorimi i gjuhës shqipe dhe ruajtja e riteve të veçanta fetare, si shprehje e identitetit të fortë kulturor.

Në fjalën e saj, Spahiu vlerësoi rolin e komunitetit arbëresh në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë shqiptare, duke theksuar se ai përbën një pasuri të çmuar kulturore, ku tradita, besimi dhe gjuha shqipe vazhdojnë të jetojnë dhe të përcillen ndër breza.

Vizita në Hora e Arbëreshëvet dhe pjesëmarrja në festimet e Pashkës u vlerësuan si një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me komunitetin arbëresh, në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar.

1 nga 10

/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›