E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Roli i Trump në armëpushimin në Gaza, vendimtar

UASHINGTON, 4 tetor /ATSH/- Udhëtimi i shpejtë i Donald Trump në Izrael dhe Egjipt shënoi fitoren që ai dëshironte, sipas BBC.

Në mesazhin e tij, në Sharm el-Sheikh Trump tha se kishte krijuar një pikë kthese historike.

“Gjithë jetën time kam bërë vetëm marrëveshje. Marrëveshjet më të mëdha ndodhin shumë thjesht… Kjo është ajo që ndodhi këtu. Dhe ndoshta kjo do të jetë marrëveshja më e madhe”, tha Trump.

Pa dyshim, Trump mund të marrë meritat për armëpushimin dhe marrëveshjen e shkëmbimit të pengjeve.

Katari, Turqia dhe Egjipti, gjithashtu përdorën ndikimin e tyre ndaj Hamasit për ta detyruar atë të pranonte armëpushimin.

Kjo përpjekje e përbashkët, i dha Trump një rol vendimtar.

Pa përpjekjet e tij për të marrë miratimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për kushtet e planit të paqes – që ai i kishte refuzuar më parë – marrëveshja nuk do të ishte nënshkruar.

Marrëveshja parashikonte një armëpushim dhe shkëmbimin e pengjeve me të burgosurit.

Faza tjetër e planit 20-pikësh të Trump kërkon një marrëveshje që plotëson boshllëqet e kornizës, në të cilën thuhet se Rripi i Gazës do të demilitarizohet, sigurohet dhe qeveriset nga një komitet që përfshin palestinezët.

Ai do t’i raportojë një Bordi Paqeje të kryesuar nga presidenti Trump.

Shumica e luftërave përfundojnë me palë ndërluftuese të rraskapitura që bëjnë një lloj marrëveshje.

Mënyra tjetër për t’i dhënë fund një lufte është me një fitore të plotë që i lejon fituesit të diktojnë rrugën përpara.

Para 9 shtatorit, kur Netanyahu urdhëroi një sulm me raketa ndaj Katarit, ai dukej se ishte ende i vendosur ta shtypte armikun, deri sa Izraeli të ishte në gjendje të diktonte të ardhmen e Gazës.

Trump ka njoftuar se marrëveshja e tij për Gazën, siç është aktualisht, do t’i japë fund konfliktit që ka zgjatur për breza me radhë midis arabëve dhe hebrenjve për tokën midis lumit Jordan dhe Detit Mesdhe.

Ai këmbënguli gjithashtu se kjo do të çojë në një paqe më të gjerë në të gjithë Lindjen e Mesme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›