SHBA – Rubio: Pensionet e veteranëve nuk duhet të llogariten në shpenzimet e mbrojtjes së NATO-s

UASHINGTON, 2 qershor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se pensionet e veteranëve nuk duhet të përfshihen në llogaritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s.
Duke folur para Kongresit, ai tha se përfshirja e pagesave të pensioneve për ish-ushtarakët në angazhimet financiare ndaj aleancës “nuk mund të ndodhë”.
Komentet e Rubios vijnë në prag të samitit të NATO-s që do të mbahet në korrik në Turqi
Ai theksoi se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të reflektohet në kapacitete reale ushtarake dhe jo në zëra si pensionet.
Aktualisht, pagesat e pensioneve që qeveritë u japin ushtarakëve dhe punonjësve civilë në pension përfshihen në përkufizimin e shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s.
Rubio argumentoi se shumë vende evropiane kanë mundur të ndërtojnë sisteme të forta sociale sepse për dekada janë mbështetur në mbrojtjen e ofruar nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, ekonomitë me rritje të ngadaltë në Evropë do ta kenë të vështirë të rrisin shpenzimet ushtarake pa rritur taksat ose pa shkurtuar programet sociale.
Ai shtoi se SHBA-ja ka angazhime globale përtej NATO-s dhe nuk disponon burime ushtarake të pakufizuara.
Për këtë arsye, sipas tij, aleatët evropianë duhet të marrin një pjesë më të madhe të përgjegjësisë për mbrojtjen e territoreve të tyre sovrane dhe të përmbushin zotimet për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe siguri. /Ab.Ab./