SHBA – Rutte: Nëse do të isha Vladimir Putin do t’i rishqyrtoja më seriozisht negociatat me Ukrainën

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-DPA/- Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte përshëndeti sot njoftimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk arrihej një marrëveshje me Ukrainën.
“Nëse do të isha Vladimir Putin do t’i rishqyrtoja negociatat me Ukrainën më seriozisht”, tha Rutte.
Ai tha se njoftimi i presidentit Trump ishte një lajm vërtet i shkëlqyer për Ukrainën.
I dërguari special i SHBA-së, Keith Kellogg mbërriti sot në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas, mes sinjaleve se mbështetja e Uashingtonit për Ukrainën po forcohet.
Qëndrimi i Trump ka marrë një drejtim tjetër. Ai kishte shpresuar se do të ishte në gjendje t’i jepte fund luftës përmes negociatave – dhe ka zhvilluar disa telefonata me Putinin.
Kohët e fundit, ai ka shprehur pakënaqësinë – duke thënë se ishte shumë i zhgënjyer me presidentin Putin.
Trump njoftoi më herët se SHBA-ja do t’i shiste sisteme armësh “Patriot” vendeve evropiane për t’i dërguar në Ukrainë.
“Do të jetë një biznes për ne. Do t’u dërgojmë vendeve evropiane sisteme “Patriot”, për të cilat ata kanë shumë nevojë sepse Putini, me të vërtetë befasoi shumë njerëz”, u tha Trump gazetarëve.
“Patriot” është një nga sistemet më moderne të mbrojtjes ajrore në botë – që përdoret për të luftuar avionët armik, raketat balistike dhe raketat kruz. //a.i/