E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Shkarkohet shefi i Shërbimit Sekret Ushtarak

UASHINGTON, 23 gusht /ATSH-AFP/ – Një zyrtar i lartë amerikan njoftoi shkarkimin e kreut të Shërbimit Sekret Ushtarak (DIA), pas shkarkimit të disa oficerëve të lartë në muajt e fundit.
Shkarkimi i gjenerallejtnant Jeffrey Kruse, i cili kishte mbajtur këtë pozicion që nga fillimi i vitit 2024, vjen menjëherë pasi departamenti i tij vlerësoi se sulmet amerikane ndaj Iranit në qershor e kishin kthyer programin bërthamor të Teheranit disa vite prapa.

Ky raport, i cili është raportuar gjerësisht në shtyp, ndryshon ndjeshëm nga pohimet e presidentit Donald Trump se sulmet në fjalë shkatërruan plotësisht vendet bërthamore të synuara.

Kjo mospërputhje thuhet se e zemëroi udhëheqësin republikan.

“Jeffrey Kruse nuk do të shërbejë më si drejtor i DIA-s”, tha zyrtari i lartë ushtarak, duke folur në kushte anonimiteti.
Ai nuk dha një arsye për shkarkimin.

Që kur u kthye në pushtet, udhëheqësi republikan ka kryesuar shkarkimin e shumë zyrtarëve të lartë të Pentagonit.

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, një besnik i Donald Trump, mbron të drejtën e presidentit për të zgjedhur udhëheqjen e ushtrisë sipas gjykimit të tij, por ligjvënësit demokratë kanë shprehur shqetësim për politizimin e mundshëm të saj. / /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›