SHBA – Trump: Bisedë produktive me Putinin para takimit me Zelenskyn

UASHINGON, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se kishte pasur një bisedë telefonike “shumë produktive” me presidentin rus Vladimir Putin, pak para se të priste presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Florida.
“Sapo kam pasur një bisedë të mirë dhe shumë produktive me presidentin Putin”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi bisedën telefonike kur u pyet nga agjencitë ruse të lajmeve, por refuzoi të tregojë se çfarë u diskutua.
Ky zhvillim vjen ndërsa presidenti amerikan ka planifikuar të zhvillojë takimin me Zelenskyn në resortin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, si pjesë e përpjekjeve të fundit për të përfunduar luftën që nisi Rusia në shkurt 2022.
Administrata Trump në fund të nëntorit paraqiti një plan paqeje me 28 pika, i cili shqetësoi Kievin dhe aleatët e tij duke reflektuar disa pozicione të Kremlinit.
Që atëherë, Zelensky dhe partnerët e tij kanë punuar mbi një kornizë të rishikuar me 20 pika, përfshirë gjatë takimeve të fundit në Berlin dhe Majemi me zyrtarë të lartë të administratës Trump, ndërsa SHBA-ja ka zhvilluar gjithashtu bisedime të veçanta me Moskën. /Ad.Ab./