SHBA – Trump: Do të heqim dorë nga marrëveshja e paqes me Ukrainën nëse palët e vështirësojnë

PARIS, 18 prill /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump tha sot se bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë kishin arritur në pikën kritike – ndërsa këmbënguli se asnjëra palë nuk po “tregonte mungesë respekti” në përpjekjen e tij për t’i dhënë fund luftës, sipas AP.
Deklarata e Trump erdhi pasi sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio paralajmëroi më herët se SHBA-ja mund të “ndërpriste” përpjekjet për të siguruar një marrëveshje paqeje Rusi-Ukrainë – nëse nuk do te kishte progres në ditët në vijim – pas disa muajsh negociatash për t’i dhënë fund luftimeve.
“Nëse për ndonjë arsye njëra nga palët e bën shumë të vështirë, ne thjesht do të dorëzohemi”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
I pyetur nëse presidenti rus Vladimir Putin është duke zvarritur negociatat, Trump u përgjigj: “Shpresoj që jo”.
Rubio, tha sot se SHBA-ja mund të hiqte dorë nga përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për paqen Rusi-Ukrainë nëse në ditët në vijim nuk do të shihej progres.
Deklarata e tij erdhi në Paris pas bisedimeve historike midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë – ku u përpiluan skica për hapat drejt paqes.
Një takim i ri pritet javën e ardhshme në Londër – për të cilin Rubio tha se mund të jetë vendimtar nëse administrata Trump do të vazhdonte përfshirjen e saj në marrëveshje. //a.i/