SHBA – Trump: Ndërsa përpiqemi për paqe, Putin shton sulmet ndaj Ukrainës

UASHINGTON, 26 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar me sanksione të mëtejshme kundër Rusisë duke shprehur zhgënjimin e tij për bombardimin e Ukrainës nga Rusia.
Trump u tha gazetarëve se “nuk ishte i kënaqur me atë që po bën Putini” dhe u përgjigj “absolutisht” kur u pyet nëse po shqyrtonte sanksione të mëtejshme kundër Rusisë.
“Ai po vret shumë njerëz dhe nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit”, theksoi Trump.
“E njoh prej kohësh, gjithmonë kam shkuar mirë me të, por ai po lëshon raketa në qytete dhe po vret njerëz dhe kjo nuk më pëlqen aspak”, shtoi ai.
“Jemi në mes të negociatave dhe ai po lëshon raketa në Kiev dhe qytete të tjera. Nuk më pëlqen aspak. Dhe jam i befasuar. Jam shumë i befasuar prej tij”, shtoi ai.
”Rusia nisi rreth 300 sulme me dronë dhe rreth 70 sulme me raketa kundër Ukrainës të shtunën në mbrëmje”, tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Shifrat e bëjnë këtë sulmin më të keq me dron që nga fillimi i luftës në vitin 2022.
Autoritetet thanë se të paktën 12 persona u vranë në pjesë të ndryshme të vendit dhe dhjetëra të tjerë u plagosën./ /os/