E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump: Nëse Irani ekzekuton protestuesit, do të ndërhyjmë

UASHINGTON, 14 janar /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërmarrin “masa shumë të forta” nëse autoritetet iraniane fillojnë të ekzekutojnë protestuesit antiqeveritarë – të arrestuar gjatë protestave masive – që kanë përfshirë vendin në javët e fundit, sipas BBC.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur numri i të vdekurve nga përleshjet midis forcave të sigurisë dhe protestuesve ka tejkaluar 2 500.

“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të forta”, tha Trump, duke shtuar se ishte në dijeni të numrit shumë të lartë të viktimave në demonstratat që kanë zgjatur më shumë se dy javë në të gjithë Iranin.

Shqetësimi ndërkombëtar është rritur pas raportimeve se një nga protestuesit e arrestuar, 26-vjeçari Erfan Soltani, mund të përballet me ekzekutim të menjëhershëm.

Ai u arrestua në qytetin Karaj, në periferi veriperëndimore të Teheranit, gjatë kulmit të protestave, përpara mbylljes së internetit.

“Amnesty International” ka ngritur alarmin për rastin e tij, duke paralajmëruar se autoritetet iraniane mund të rifillojnë gjyqet e shkurtra dhe ekzekutimet arbitrare për të shtypur çdo formë mospajtimi.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), deri në orët e para të mëngjesit, numri i të vdekurve kishte arritur në të paktën 2 571 persona, përfshirë 12 fëmijë, ndërsa më shumë se 18 100 protestues janë arrestuar.

Ky është numri më i madh i viktimave në dekadat e fundit dhe kujton trazirat e Revolucionit Islamik të vitit 1979.

Trump, gjatë intervistës, iu referua gjithashtu veprimeve të mëparshme ushtarake amerikane, të tilla si sulmet në Venezuelë dhe vrasjes së ish-liderit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni nuk do të qëndronte pasiv.

“Nuk duam të shohim mijëra njerëz duke u vrarë. Nëse ata fillojnë të zbatojnë dënimin me vdekje, do të shohim se si do të shkojë. Nuk do të shkojë mirë”, tha presidenti amerikan, Donald Trump.

Në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump postoi gjithashtu një mesazh të drejtpërdrejtë për protestuesit iranianë, duke i nxitur ata të vazhdonin protestat dhe duke paralajmëruar se “ndihma ishte në rrugë e sipër”.

Në përgjigje, misioni i Iranit në OKB deklaroi se “skenari amerikan do të dështonte sërish”, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po përpiqeshin të ndryshonin regjimin përmes sanksioneve dhe presionit politik.

Ndërkohë, Rusia ka kritikuar presionin amerikan mbi Iranin, duke thënë se forcat e jashtme po synojnë të shfrytëzojnë tensionet e brendshme për të destabilizuar shtetin iranian.

Autoritetet iraniane këmbëngulin se situata është nën kontroll, megjithëse prania e forcave të sigurisë mbetet e lartë dhe ka raporte të shumta për konfiskim të pajisjeve satelitore dhe rrëfime të detyruara të transmetuara në mediet shtetërore.

Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa bashkësia ndërkombëtare po ndjek me shqetësim zhvillimet dhe rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›