SHBA – Trump: Nuk priten zgjedhje në Venezuelë në 30 ditët e ardhshme

UASHINGTON, 6 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk pret që në Venezuelë të mbahen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve të ardhshme.
“Duhet ta rregullojmë fillimisht vendin. Nuk mund të zhvillohen zgjedhje”, i tha ai transmetuesit amerikan NBC News.
”Kjo do të marrë një periudhë kohe dhe ne duhet të rikthejmë qetësinë në vend”, shtoi ai.
Qeveria e Venezuelës vazhdon ta konsiderojë Nicolas Maduro, i cili u ndalua nga forcat amerikane të shtunën, si presidentin legjitim të vendit.
Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në rast të mungesës së përhershme të presidentit, detyrën e merr zëvendëspresidenti dhe duhet të organizohen zgjedhje të reja brenda 30 ditëve.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse udhëheqja e re e konsideron situatën aktuale si mungesë të përhershme.
Delcy Rodríguez, e cila kishte shërbyer si zëvendëspresidente e Maduros që nga viti 2018, bëri dje betimin si presidente në detyrë.
Gjykata e Lartë e kishte ngarkuar atë gjatë fundjavës me marrjen përkohësisht të detyrave të kreut të shtetit.
Forcat amerikane sulmuan objektiva në Venezuelë gjatë fundjavës dhe arrestuan Maduron./ /Ad.Ab./ a.jor.