E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump diskuton me udhëheqësit kurdë në Irak rreth konfliktit me Iranin

UASHINGTON, 3 mars /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me udhëheqësit kurdë në Irak, për të diskutuar hapat e mëtejshëm në luftën kundër Iranit.

Trump kontaktoi me Bafel Talabani-n, kreun e Unionit Patriotik të Kurdistanit (PUK) në Irak.

PUK tha se Trump kishte informuar Talabani-n për planet e tij të mëtejshme në lidhje me luftën me Iranin.

Fillimisht nuk pati konfirmim nga qeveria amerikane.

Media amerikane raportoi se Trump kishte biseduar gjithashtu me udhëheqësin kurd të Irakut, Masoud Barzani, një ditë pas fillimit të sulmeve SHBA-Izrael në Iran.

Duke cituar zyrtarë të qeverisë amerikane, “Wall Street Journal” raportoi se Trump po shqyrton mbështetjen e kurdëve irakianë në një luftë kundër udhëheqjes iraniane.

Kurdët irakianë kanë stacionuar luftëtarë të shumtë në kufirin me Iranin fqinj dhe gjithashtu kanë lidhje me pakicën kurde në Iran.

Kurdët janë një grup etnik me rreth 30 milionë anëtarë, që jetojnë kryesisht në Irak, Iran, Siri dhe Turqi.

Ata kanë luftuar për dekada për shtetin e tyre dhe janë persekutuar dhe shtypur prej kohësh si në Irak ashtu edhe në Iran.

Rajoni autonom kurd në Irak u krijua pas rënies së diktatorit Saddam Hussein në vitin 2003.

Nëse qeveria në Iran do të binte, kurdët gjithashtu mund të fitonin më shumë të drejta atje.

Megjithatë, është e paqartë se çfarë kontributi mund të japin ata në të vërtetë në luftë dhe çfarë angazhimesh mund të kërkojnë nga qeveria amerikane në këmbim.

Milicitë kurde janë një aleat i rëndësishëm i SHBA-së në luftën kundër grupit terrorist Shteti Islamik në Irak dhe Siri. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›