E Martë, 3 Nëntor 2026

SHBA – Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s

UASHINGTON, 3 qershor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump do të marrë pjesë në samitin e NATO-s të planifikuar për 24-25 qershor në Hagë, Holandë, njoftoi sot zëdhënësja e tij Karoline Leavitt.

Që kur u rikthye në pushtet, presidenti amerikan u ka kërkuar vazhdimisht anëtarëve të aleancës së mbrojtjes të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre ushtarake.

Përsa i përket shpenzimeve të NATO-s edhe kryeministri britanik Starmer është zotuar të shpenzojë 2,5% të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtje nga prilli 2027, me qëllim rritjen e kësaj shume në 3% gjatë parlamentit të ardhshëm – një afat kohor që mund të shtrihet deri në vitin 2034.

Por, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, mendohet se po nxit aleatët të zotohen të shpenzojnë 3,5% për ushtrinë me një 1,5% të mëtejshëm për masa që lidhen me mbrojtjen, ndërsa aleanca i përgjigjet veprimeve të presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›