E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump kërcënon të bombardojë Omanin nëse pengon marrëveshjen e Hormuzit

UASHINGTON, 17 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump kërcënoi sot të bombardojë Omanin nëse vendi pengon një marrëveshje për Ngushticën e Hormuzit, pasi Muskati dhe Teherani kanë zhvilluar bisedime për javë të tëra pa Uashingtonin në lidhje me këtë rrugë ujore strategjike.

“Nëse Omani na pengon, ne do t’i bombardojmë ata”, i tha presidenti amerikan gazetarit të ‘’Fox News’’, Trey Yingst, sipas postimit të tij në X, në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me diskutimet e vazhdueshme midis dy vendeve.

Zyrtarët iranianë dhe omanë kanë qenë në bisedime për disa javë për të arritur një marrëveshje mbi kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila kalon midis brigjeve të dy vendeve.

Teherani ka qenë duke e mbyllur ngushticën pothuajse vazhdimisht që nga fundi i shkurtit, pas sulmit izraelito-amerikan ndaj Iranit, i cili shkaktoi luftën në Lindjen e Mesme.

Në përgjigje, Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë në portet iraniane.

“Bisedimet midis Iranit dhe Omanit po vazhdojnë në një mënyrë serioze”, deklaroi sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane.
Trump gjithashtu i bëri thirrje Iranit të ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit.

“Nuk kam asnjë nxitim”, shtoi ai, duke deklaruar se zgjedhjet e mesmandatit në nëntor “nuk e ndryshojnë mënyrën time të të menduarit”./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›