SHBA – Trump kërkon rikthimin e dënimit me vdekje për vrasjet që ndodhin në Uashington

UASHINGTON, 27 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi planet për të kërkuar dënimin me vdekje për vrasjet e kryera në kryeqytetin amerikan duke e përshkruar atë si një “masë parandaluese shumë të fortë”.
Në SHBA, dënimi me vdekje mbetet i ligjshëm në nivel federal, në ushtri dhe në 27 shtete, megjithëse nuk zbatohet gjithmonë.
Në Uashington, nuk ka pasur ekzekutime që nga viti 1957, sipas Qendrës së Informacionit për Dënimin me Vdekje dhe këshilli i qytetit hoqi dënimin me vdekje në vitin 1981.
Megjithatë, autoritetet federale mund të ngrenë ende akuza sipas ligjit federal.
Trump më parë ishte zotuar të drejtonte Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së që të ndiqte dënimin me vdekje në mënyrë të vazhdueshme.
Ky veprim vjen mes përpjekjeve më të gjera të Trump për të forcuar kontrollin në kryeqytet, ku ai ushtron autoritet më të madh sesa në shtete.
Dy javë më parë, Trump aktivizoi Gardën Kombëtare dhe vendosi përkohësisht policinë lokale nën mbikëqyrjen federale. Ky veprim po përballet me sfida ligjore.
Autoritetet federale që atëherë kanë rritur zbatimin e ligjit, duke përfshirë edhe veprat penale të lehta./ /Ad.Ab./