SHBA – Trump mikpret Armeninë dhe Azerbajxhanin për një samit paqeje në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar planet për të organizuar një samit paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë.
Trump njoftoi takimin në platformën e tij Truth Social duke thënë se presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan do të marrin pjesë.
“Presidenti Aliyev dhe kryeministri Pashinyan do të bashkohen me mua në Shtëpinë e Bardhë për një ceremoni zyrtare të nënshkrimit të paqes”, shkroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Tensionet mbeten të larta midis dy vendeve.
Në vitin 2023, Armenia humbi kontrollin e rajonit të diskutueshëm të Nagorni-Karabahut gjatë një ofensive të rrufeshme nga Azerbajxhani, i cili drejtohet nga Aliyev në një mënyrë autoritare dhe zotëron pasuri të konsiderueshme nafte.
Që atëherë, Erevani është përballur me një krizë serioze politike, me më shumë se 100 000 armenë etnikë të zhvendosur nga Nagorni-Karabahu në Armeni.
Baku gjithashtu ka vazhduar të ushtrojë presion ushtarak mbi Erevanin.
Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me të dy vendet për të ndjekur mundësitë ekonomike dhe për të “zhbllokuar plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”./ a.jor.