E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ Rritja e numrit të turistëve të cilët zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë shoqërohet edhe me rritjen e numrit të vizitorëve në shtigjet natyrore të të gjitha vështirësive.

Ndaj, duke ndjekur interesin, por edhe problematikat e hasura nga numri i lartë i frekuentimit të shtigjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka krijuar të parin website zyrtar shtetëror të quajtur “Albanian trails”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese mbi këtë website, i cili i vjen në ndihmë çdo vizitori të përjetojë itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës.

“Shtigjet tona natyrore, aq të shumta në zonat e mbrojtura të Shqipërisë tashmë mund t’i zbuloni dhe informoheni rreth tyre paraprakisht në platformën dedikuar turizmit të natyrës www.albaniantrails.al krijuar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, për të përjetuar itinerare dhe eksperienca frymëzuese në peizazhet, parqet dhe monumentet tona të natyrës”, u shpreh Rama.

Turizmi i natyrës është konsideruar tepër i përshtatshëm për gjeografinë shqiptare, me një terren të thyer nga jugu në veri të territorit.

Ndaj, Zonat e Mbrojtura në të 12 qarqet e vendit po përgatiten që ta shfrytëzojnë më së miri këtë lloj turizmi mjaft fitimprurës gjatë gjithë vitit.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›