E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump paralajmëron “stuhi” dhe tension në rritje me Iranin

UASHINGTON, 30 prill /ATSH-ANSA/- Presidenti amerikan, Donald Trump ka ndezur sërish tensionet me deklarata të forta lidhur me situatën në Iran, duke paralajmëruar se ”stuhia po vjen”.

Në rrjetin e tij social Truth, ai shpërndau një imazh me mesazhin ”Asgjë nuk mund të ndalojë atë që po vjen”, pasi më herët kishte publikuar një hartë ku Ngushtica e Hormuzit paraqitej si ”Ngushtica Trump”.

Në një postim tjetër, Trump iu referua një sondazhi të “Harvard Harris Poll”, sipas të cilit një shumicë e fortë e amerikanëve mbështet qëndrimin e tij për ndalimin e programit bërthamor iranian.

Deklaratat vijnë në një moment kur shpresat për një përfundim të shpejtë të konfliktit po zbehen ndjeshëm.

Ndërkohë, tregjet financiare kanë reaguar me shqetësim.

Çmimi i naftës “Brent” është rritur ndjeshëm, duke arritur gjatë natës në 126,41 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në të paktën katër vite.

Edhe bursat ndërkombëtare janë në rënie, pasi investitorët druhen nga një përshkallëzim i mëtejshëm i situatës.

Sipas burimeve pranë ndërmjetësimit të cituara nga CNN, Shtetet e Bashkuara  të Amerikës janë në pritje të një propozimi të rishikuar për paqe nga Irani, i cili mund të paraqitet brenda ditës së nesërme.

Megjithatë, klima mbetet e pasigurt dhe e tensionuar.

Presidenti Trump deklaroi se negociatat për t’i dhënë fund konfliktit po zhvillohen aktualisht përmes telefonatave, duke theksuar se udhëtimet e gjata ajrore drejt Islamabadit nuk janë më të mundshme në këtë fazë.

Raundi i parë i bisedimeve fizike përfundoi pa marrëveshje, ndërsa i dyti u anulua.

Zhvillimet e fundit tregojnë se situata mbetet shumë delikate, ndërsa retorika e fortë politike dhe lëvizjet në tregjet globale sugjerojnë se çdo hap i ardhshëm mund të ketë pasoja të gjera ndërkombëtare./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›