E Diel, 1 Nëntor 2026

BRUKSEL – BE: Prania e trupave amerikane në Evropë në interes të SHBA-së

BRUKSEL, 30 prill /ATSH-AFP-DPA/ – Bashkimi Evropian deklaroi sot se prania e trupave amerikane në Evropë është në interes të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke reaguar ndaj komenteve të ish-presidentit Donald Trump për një reduktim të mundshëm të forcave ushtarake në Gjermani.

Sipas një zëdhënëseje të Bashkimi Evropian, vendosja e trupave amerikane në kontinentin evropian kontribuon jo vetëm në sigurinë rajonale, por edhe në interesat strategjike globale të SHBA-së.

“Dislokimi i trupave amerikane në Evropë shërben gjithashtu interesat e Shteteve të Bashkuara në kuadër të veprimeve të tyre në shkallë botërore”, u shpreh zëdhënësja Anitta Hipper gjatë një konference për shtyp.

Komentet vijnë në një moment kur po diskutohen mundësi për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, një nga vendet kryesore ku SHBA ka baza të rëndësishme ushtarake në Evropë.

BE-ja nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke e konsideruar këtë prani si një element kyç për stabilitetin ndërkombëtar.

Debati mbi reduktimin e trupave amerikane në Evropë mbetet i hapur, ndërsa zyrtarët evropianë vazhdojnë të theksojnë rolin strategjik të kësaj pranie në arkitekturën e sigurisë globale

Presidenti amerikan, Donald Trump,  ka deklaruar se administrata e tij po studion dhe rishikon mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në Gjermani.

”Një vendim pritet të merret brenda një periudhe të shkurtër kohore”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Deklarata erdhi pas kritikave të ashpra të tij ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, i cili kishte kundërshtuar publikisht ofensivën amerikane kundër Iranit.

“Merz nuk e di për çfarë flet”, shkroi Trump, duke shtuar se “nuk është çudi që Gjermania po ecën keq, si ekonomikisht ashtu edhe në aspekte të tjera”.

Ai e akuzoi gjithashtu kancelarin gjerman se toleron mundësinë që Irani të ketë armë bërthamore.

Nga ana e tij, Merz deklaroi në Berlin se marrëdhënia e tij me Trump “mbetet, të paktën nga këndvështrimi im, po aq e mirë sa ka qenë ndonjëherë”, duke theksuar se dialogu mes tyre vazhdon të jetë konstruktiv.

Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane nga mesi i prillit, rreth 86 000 ushtarë amerikanë janë aktualisht të vendosur në Evropë, përfshirë rreth 39 000 në Gjermani, megjithëse ky numër ndryshon për shkak të rotacioneve dhe stërvitjeve ushtarake.

Në mars, Merz kishte deklaruar se Trump e kishte siguruar për vazhdimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, por nuk ishte e qartë nëse kjo prani do të mbetej në të njëjtin nivel.

Për dekada me radhë, SHBA-ja ka mbajtur baza të mëdha ushtarake në Evropë, me rëndësi strategjike për operacionet globale, përfshirë Lindjen e Mesme.

Në Gjermani ndodhen struktura kyçe si Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) në Shtutgart dhe baza ajrore ”Ramstein” në Rheinland-Pfalz, një qendër e rëndësishme për Forcat Ajrore amerikane.

Në fund të vitit 2025, Kongresi amerikan miratoi një mekanizëm sigurie që ndalon rënien e numrit të trupave të përhershme në zonën e komandës evropiane nën 76 000 për më shumë se 45 ditë, pa plotësuar kërkesa të caktuara raportimi. /Ad.Ab./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›