SHBA – Trump për takimin me Putinin: Nuk dua një takim të kotë

UASHINGTON, 22 tetor /ATSH-DPA/ – Presidenti i amerikan , Donald Trump, deklaroi mbrëmë se është i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin vetëm nëse nga samiti mund të priten rezultate konkrete.
Trump nuk konfirmoi drejtpërdrejt raportimet e mediave se një takim i planifikuar me homologun rus është pezulluar ose shtyrë. Megjithatë, i pyetur nga një gazetar se çfarë dinte lidhur me ndryshimin e mundshëm të planeve dhe nëse kjo do të ndikonte në qëndrimin e tij për shitjen e mundshme të raketave “Tomahawk” Ukrainës, ai u përgjigj: “Nuk dua një takim të kotë”.
“Nuk dua të harxhoj kohë, kështu që do të shohim çfarë do të ndodhë”, shtoi Trump nga Zyra Ovale.
Trump tha se ende nuk është marrë një vendim dhe nuk ishte e qartë nëse ai i referohej takimit të mundshëm me Putinin apo çështjes së shitjes së raketave me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën.
Ai premtoi se do të jepte një përditësim brenda dy ditësh dhe përsëriti qëndrimin e tij se vijat e frontit në Ukrainë duhet të “ngrinë”, si pjesë e çdo përpjekjeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Sipas disa mediave amerikane, takimi i planifikuar në Budapest duket gjithnjë e më i pasigurt.
“Politico”, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë, raportoi se samiti nuk është më në axhendë pas telefonatës së të hënës mes sekretarit amerikan të shtetit Marco Rubio dhe ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Edhe CNN raportoi, duke iu referuar burimeve në Shtëpinë e Bardhë, se samiti mund të shtyhet, pasi takimi paraprak mes Rubio dhe Lavrov,i konsideruar si hap kyç para se të takohen presidentët është pezulluar.
“NBC News” shkroi se telefonata e së hënës ka qenë “produktive”, por zyrtarët besojnë se Rusia dhe Ukraina ende nuk janë gati për bisedime serioze paqeje.
Sipas “Washington Post”, nuk ka plane për një takim “në të ardhmen e afërt”. /Ad.Ab./