E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA – Trump tërheq ftesën për Carney për t’iu bashkuar Bordit të Paqes

UASHINGTON, 23 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka tërhequr një ftesë për kryeministrin kanadez Mark Carney për t’u bashkuar me Bordin e tij të Paqes.

Republikani e njoftoi këtë në një postim të shkurtër në platformën e tij online Truth Social, pa dhënë një arsye.

Trump nënshkroi dje një dokument themelues për organin e ri ndërkombëtar, të cilin kritikët e shohin si sfidues ndaj Kombeve të Bashkuara, në Forumin Ekonomik Botëror në vendpushimin alpin zviceran të Davosit.

Vetë presidenti i SHBA-së kryeson bordin, të cilin fillimisht e konceptoi si një organ për të mbikëqyrur rindërtimin e Rripit të Gazës pas luftës dyvjeçare midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.

Që atëherë ai ka sugjeruar se ambiciet e organit mund të rriten për të trajtuar konfliktet dhe krizat në mbarë botën dhe tha në ceremoninë e nënshkrimit të së enjtes se organi “mund të përhapet në gjëra të tjera” përtej Gazës.

Rreth 60 qeveri janë ftuar të bashkohen, por pak nga aleatët perëndimorë të Uashingtonit e kanë pranuar publikisht, me Hungarinë dhe Bullgarinë të vetmet anëtarë të Bashkimit Evropian që e kanë nënshkruar deri më tani.

Kanadaja është një nga vendet që fillimisht nuk u zotua të bashkohej.

Carney tha se vendi në parim mund të parashikonte pjesëmarrjen, por se detajet nuk ishin finalizuar ende.

Në fjalimin e tij në Davos të martën, Carney tha se sistemi i qeverisjes globale i udhëhequr nga SHBA-të po përjetonte aktualisht një përçarje, të karakterizuar nga konkurrenca midis fuqive të mëdha dhe një rend i bazuar në rregulla në rënie.

Ai nuk e përmendi Trumpin me emër.

Në fjalimin e tij të së mërkurës, Trump u ankua se Carney “nuk ishte aq mirënjohës”, duke shtuar se ”duhej të kishte qenë”.

“Kanadaja ekziston për shkak të Shteteve të Bashkuara. Mbaje mend këtë, Mark, herën tjetër që bën deklaratat e tua”, tha Trump.

Presidenti amerikan ka shprehur vazhdimisht dëshirën e tij për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të të SHBA-së dhe së fundmi postoi një fotografi të krijuar nga inteligjenca artificiale që tregon Kanadanë, Groenlandën dhe Venezuelën me ngjyrat e flamurit të SHBA-së./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›