Kontrolle në 18 subjekte, 2 gjoba për shkelje me produktet për mbrojtjen e bimëve

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë kontrolle të shtuara ndaj subjekteve që tregtojnë Produkte për Mbrojtjen e Bimëve (PMB), me qëllim rritjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Gjatë ushtrimit të kontrolleve në 18 subjekte, janë vendosur në 7 subjekte masa administrative me “paralajmërim” dhe në dy subjekte janë vendosur masa administrative me “gjobë”.
Në një prej rasteve, subjekti tregtonte produkt PMB të paregjistruar duke rrezikuar sigurinë në bujqësi dhe ushqim. Për këtë arsye, u vendos bllokimi i produktit.
Ndërsa në rastin tjetër, subjekti ushtronte aktivitetin pa licencën përkatëse, çka solli ndërprerjen e aktivitetit deri në pajisjen me dokumentacionin e nevojshëm.
AKU thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin dhe u bën thirrje operatorëve të biznesit ushqimor të respektojnë legjislacionin për të garantuar produkte të sigurta për qytetarët. /j.p/