E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA- Incident pranë Shtëpisë së Bardhë, automjeti përplaset me portën e sigurisë

UASHINGTON, 11 mars /ATSH/ – Një automjet u përplas me portën e Shtëpisë së Bardhë sot, duke shkaktuar një reagim të madh të forcave të policisë dhe mbylljen e përkohshme të disa rrugëve përreth zonës, sipas Reuters.

Departamenti i Policisë Metropolitane të Uashingtonit dhe agjentët e Shërbimit sekret të SHBA-së mbërritën menjëherë në vendngjarje pranë barrikadës në kryqëzimin e Connecticut Avenue me H Street Northwest, pasi incidenti ndodhi pak para orës 07:00 sipas kohës lokale.

Drejtuesi i automjetit, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, është shoqëruar nga autoritetet për t’u marrë në pyetje.

Ende nuk dihen shkaqet që çuan në përplasjen e automjetit me portën e kompleksit presidencial, por një zëdhënës i policisë i tha CBS News se nga incidenti nuk janë raportuar të lënduar.

Ky është rasti i dytë brenda pak muajsh kur një automjet përplaset me një strukturë të Shtëpisë së Bardhë.

Në muajin tetor, një drejtues tjetër u arrestua pasi goditi me makinë portën e sigurisë së kompleksit presidencial. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›