SHBA: Asociacioni, kyç për Kosovën. Stano: Nuk jemi konsultuar për dërgimin në Kushtetuese

Në një intervistë për Qendrën e Evropës në Këshillin e Atlantikut, i dërguari i Posacëm i SHBA-ve për Ballkanin Perendimor ka deklaruar se duhej te punohej me shume ne krijimin e Asociacionin se sa per afrimin e Kosovës dhe Serbisë.
“Është dashur të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se të lehtësonim afrimin e të dyja palëve sepse në disa raste ne kemi vërejtur se ka pasur vullnet në të dyja palët”, tha Escobar.
Zyrtari amerikan theksoi se zbatimi i Asociacionit është kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe për sigurimin e njohjeve të reja.
“Nga perspektiva amerikane, për shkak se rruga evropiane ka përfshirë pjesë të këtij Asociacioni në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin evropian, përmes dialogut, dhe marrëveshja që është e garantuar nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane, për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar Evropa, prandaj ka arsye për njohje të reja”, tha Escobar.
Më herët , zëdhënësi i BE-së Peter Stano u shpreh se unioni pret hapa konkret për finalizimin e çështjes së asociacionit.
“Është për t ardhur keq, Kosova prej vitit 2013 nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të asociacionit, si dhe forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”, tha Stano.
Ndërsa për draftstatutin e propozuar nga Kosova per ta dërguar në Kushtetuese zëdhënësi i BE-së theksoi se nuk ishte dijeni mbi përmbajtjen e këtij dokumenti.
“Përmbajtja e një statuti, që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ta përpilojë, është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, e as me ndërmjetësuesin e dialogut Prishtinë-Beograd. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano.
Ndër të tjera Stano vlerësoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE dhe kërkesa e Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Evropës nuk ndërlidhen me njëra-tjetrën./vizionplus.tv