Kurti para BE-së i kërkon Vuçiçit dorëzimin e Radoiçiqit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga Mali i Zi ku po mbahet Samiti i liderëve, i ka kërkuar Serbisë që të dorëzojë në Kosovë, terroristin Milan Radoiçiq dhe grupin e tij kriminal që vran rreshterin policor Afrim Bunjakun më 24 shtator.
Albin Kurti tha se marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor me njohje reciproke janë të domosdoshme për paqe, siguri dhe integrim.
“Për këtë arsye, kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radiociqin në Kosovë dhe grupin e tij paramilitar që e ka vrarë rreshterin tonë, Afrim Bunjkaun më 24 shtator”, tha Kurti.
Kurti e porositi BE-në që ta kontrollojë progresin demokratik dhe reformat në rajon, e më pas t’i bazojë politikat e saj në ato të dhëna.
“Tani më lejoni të flas për përparimin e bërë me Planin Zhvillimor. Për Kosovën Plani Zhvillimor i BE-së paraqet një mundësi për ta cuar përpara integrimin tonë në tregun unik evropian duke përshpejtuar reformat që kanë të bëjnë me demokratizimin, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut”, tha kryeministri.
“Mirëpresim punën në tregun unik për vitin 2025-28 dhe të miratojmë këtë në Procesin e Berlinit. Ky duhet të jetë një plan ambicioz i cili e integron rajonin tonë dhe e lidh me tregun e brendshëm të BE-së”./vizionplus.tv