E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA bombardoi centralet bërthamore të Iranit, Netanyahu përgëzon Trump: Ky vendim do të ndryshojë historinë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vlerësoi të dielën “vendimin e guximshëm” të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të bombarduar tre centralet bërthamore të Iranit, duke pretenduar se kjo do të ndryshonte rrjedhën e historisë.

“Historia do ta mbajë mend se Presidenti Trump veproi për t’i mohuar regjimit më të rrezikshëm në botë, armët më të rrezikshme në botë”, tha Netanyahu në një fjalim.

SHBA-të sulmuan tre objekte bërthamore në Iran, Fordow, Natanz dhe Isfahan, në orët e para të së dielës.

Për herë të parë, SHBA-të hodhën gjashtë bomba GBU-57 Massive Ordnance Penetrator (MOP), duke përdorur bombardues të fshehtë B-2.

Duke falënderuar Presidentin e SHBA-së, Netanyahu shtoi: “Urime president Trump. Vendimi juaj i guximshëm për të goditur objektet bërthamore të Iranit me fuqinë e jashtëzakonshme dhe të drejtë të SHBA-së do ta ndryshojë historinë”.

Ai tha se “menjëherë” mori një telefonatë nga Presidenti Trump pasi operacioni mbaroi.

Netanyahu pranoi se sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore nëntokësore të Iranit nuk mund të arrihen nga asnjë vend tjetër.

Nga ana tjetër, Trump, në një fjalim drejtuar kombit, tha se objektivi i administratës së tij ishte të shkatërronte plotësisht kapacitetin bërthamor të Iranit dhe të parandalonte një kërcënim bërthamor. Ai deklaroi më tej se po punonte së bashku me Netanyahun në kryerjen e sulmeve ndaj centraleve bërthamore të Iranit.

Trump e paralajmëroi Iranin kundër çdo hakmarrjeje, duke kërcënuar me “sulme shumë më të mëdha. Do të ketë ose paqe ose tragjedi për Iranin”, tha ai.

Menjëherë pas sulmeve, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i quajti sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane një “përshkallëzim të rrezikshëm në një rajon që tashmë është “i ndezur” nga konflikti dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

“Ekziston një rrezik në rritje që ky konflikt të dalë shpejt jashtë kontrollit, me pasoja katastrofike për civilët, rajonin dhe botën”, tha Guterres në një deklaratë.

“Në këtë orë të rrezikshme, është thelbësore të shmanget një spirale kaosi. Nuk ka zgjidhje ushtarake. E vetmja rrugë përpara është diplomacia. E vetmja shpresë është paqja”, tha ai./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›