SHBA bombardojnë Iranin, shkatërrohen tre centrale bërthamore. Trump: Tani është koha për paqe

Ushtria amerikane ka sulmuar gjatë natës Iranin duke u përfshirë në luftë të drejtëpërdrejtë në konfliktin mes Izraelit dhe Reublikës Islamike.
Avionët amerikanë B-2, shkatërrues të bunkerëve, bombarduan tre pikat strategjike iraniane të infrastrukturës bërthamore, Fordou, Natanz dhe Isfahan.
Lajmin e bëri të ditur presidenti Donald Trump.
“Përfunduam sulmin tonë shumë të suksesshëm në tre centralet bërthamore në Iran, duke përfshirë ‘Fordow’, ‘Natanz’ dhe ‘Esfahan’. Një ngarkesë e plotë me BOMBA u hodh në centralin kryesor, ‘Fordow’. Të gjitha aeroplanët janë të sigurt në rrugën e tyre për në shtëpi. Urime luftëtarëve tanë të mëdhenj amerikanë. Nuk ka asnjë ushtri tjetër në botë që mund ta kishte bërë këtë. TANI ËSHTË KOHA PËR PAQE! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje”, tha Trump.
Në një deklaratë të mëvonshme kreu i Shtëpisë së Bardhë i vendososi ultimatum Iranit ose të bëjë paqe ose do të përfundojë në tragjedi.
“Sonte nmund t’i raportoj botës se sulmet ishin një sukses spektakolark. Irani, ngacmuesi i Lindjes së Mesme, duhet të bëjë paqe tani. Nëse nuk bën, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i madh dhe shumë më i thjeshtë për ne. E ardhmja e Iranit ose ka paqe ose do të përfundojë në tragjedi”, tha Trump.
Trump tha se sulmi ishte kryer në bashkëpunim me Izraelin ndërsa falenderioi Netanyahun dhe të gjithë ata që morën pjesë.
“Dua të falënderoj dhe përgëzoj kryeministrin Bibi Netanyahu. Ne punuam si një ekip. Dua të falënderoj ushtrinë izraelite për punën e mrekullueshme që kanë bërë dhe, më e rëndësishmja, dua të përgëzoj patriotët e mëdhenj amerikanë që fluturuan me ato makina madhështore sonte dhe të gjithë ushtrinë e Shteteve të Bashkuara për një operacion të cilin bota nuk e ka parë prej shumë, shumë dekadash”, tha Presidenti.
Kryeministri izraelit gjithashtu përshëndeti vendimin e Trump.
“Unë dhe Presidenti Trump shpesh themi, paqe përmes forcës. Së pari vjen forca, pastaj vjen paqja. Dhe sonte, Presidenti Trump dhe Shtetet e Bashkuara vepruan me shumë forcë. Udhëheqja e Trump sot ka krijuar një kthesë të historisë që mund të ndihmojë në udhëheqjen e Lindjes së Mesme dhe më gjerë drejt një të ardhmeje prosperiteti dhe paqeje. President Trump, ju falënderoj. Populli i Izraelit ju falënderon. Forcat e qytetërimit ju falënderojnë”, tha Netanyahu.
Reagimet e para nga Teherani paralajmëruan hakmarrje me pasoja të pakthyershme, paralajmërime të cilave Trump iu përgjigj me një postim.
“Çdo hakmarrje nga Irani kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përballohet me një forcë shumë më të madhe se çfarë u pa sonte. Faleminderit!”, tha ai.
Ndërsa Ministri Iranian reagoi këtë mëngjes.
“Çdo shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të alarmohet nga ky veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kriminal. Irani tashmë i rezervon vetes të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin, interesat dhe popullin e tij”, tha Seyed Abbas Araghchi, ministër i Jashtëm i Iranit.
Zyrtarë të tjerë Iranian u munduan të minimizonin dëmet duke thënë në media të ndryshme se Irani kishte zhvendosur sasi të mëdha uranium nga uzinat përpara sulmeve amerikane.