E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kur Presidenti Trump flet, bota duhet të dëgjojë”, sekretari i mbrojtjes: Sulmi amerikan ‘shkatërroi’ programin bërthamor iranian

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, po mban një konferencë për shtyp në Pentagon.

Ai e nisi fjalën e tij duke thënë se  sulmet e mbrëmshme kishin për qëllim “degradimin” dhe “shkatërrimin” e aftësive bërthamore të Iranit.

Ai thotë se sulmi “shkatërroi” programin bërthamor iranian, por nuk ndikoi te trupat apo civilët iranianë.

Hegseth theksoi se shumë  presidentë “ëndërronin t’i jepnin goditjen përfundimtare programit bërthamor të Iranit, por askush nuk mundi deri sa erdhi Trump”.

Ai shton se operacioni ndaj Iranit ishte “i guximshëm dhe brilant”.

“Kur Presidenti Trump flet, bota duhet të dëgjojë”, thotë ai, duke shtuar se “asnjë vend tjetër përveç SHBA-së nuk mund ta kishte bërë këtë”.

Duke vijuar më tej, sekretari i mbrojtjes i SHBA-së, deklaroi se Presidenti Trump “kërkon paqe”.

“Presidenti Trump tha jo armë bërthamore, ai kërkon paqe dhe Irani duhet të ndjekë atë rrugë”, thotë Hegseth.

Sekretari amerikan falenderoi personelin ushtarak të përfshirë në operacionet e mbrëmshme, duke i përshkruar ata si “luftëtarë, të gjithë”.

Sekretari i mbrojtjes gjithashtu vlerësoi “aleatët në Izrael” për mbështetjen e dhënë, duke shtuar se operacionet morën muaj dhe javë planifikimi./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›