E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA do të informojnë këtë javë aleatët e NATO-s mbi planin e ri për uljen e trupave amerikane në Evropë

SHBA-të pritet të informojnë aleatët e NATO-s deri në fund të javës mbi planin për të zvogëluar numrin e trupave që mund të vihen në dispozicion të aleancës, si pjesë e përditësimit të modelit të forcës globale.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i cili do të marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s të premten në Suedi, pritet të bëjë një njoftim fillestar në margjinat e takimit, përpara se ta diskutojë me aleatët.

Ky zhvillim vjen pas zhvendosjeve të fundit të trupave amerikane që kanë ngritur pikëpyetje mbi një tërheqje graduale të SHBA-së nga mbrojtja e Evropës, me synim përqendrimin në teatro të tjera operacionale. 

Administrata amerikane ka njoftuar planet për të shkurtuar 5,000 trupa në Gjermani dhe për të rivendosur një forcë rotative prej 4,000 trupash, e cila më parë ishte planifikuar të vendosej në Poloni.

Diplomatët në Bruksel dhe kryeqytetet evropiane janë përpjekur të kuptojnë njoftimet e papritura, ndërsa SHBA-të pritet të rishikojnë zyrtarisht numrin e trupave të tyre. Aktualisht besohet se rreth 80,000 trupa amerikane janë të stacionuara në Evropë, megjithëse SHBA mund ta ulë nivelin në 76,000 pa miratimin e Kongresit. 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se përditësimi i modelit të forcës është një proces normal dhe se Evropa po shpenzon më shumë për mbrojtjen e saj për të reduktuar varësinë nga një aleat i vetëm.

Tre diplomatë të NATO-s konfirmuan se përditësimi pritet deri në fund të javës, ndërsa zyrtarët ushtarakë do ta diskutojnë të premten. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, e përshkroi uljen e trupave si pjesë e një “procesi gjithëpërfshirës dhe shumështresor” për të rishikuar qëndrimin e SHBA-së në Evropë. 

Gjenerali Alexus G. Grynkewich, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën (SACEUR), tha se duhet pritur një ripozicionim gradual të forcave amerikane, ndërsa aleatët evropianë ndërtojnë kapacitetet e tyre. Procesi, sipas tij, do të zgjasë disa vite.

Ai shtoi se ka zhvilluar takime me vendet baltike dhe Poloninë për të shqyrtuar opsionet e forcimit të kapaciteteve në krahun lindor të aleancës. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›