E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA mbështet certifikimin e dy ekzaminuesve të rinj të poligrafit në Shqipëri

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka diplomuar dy ekzaminues të rinj të certifikuar të poligrafit, në kuadër të mbështetjes së ofruar nga Programi ICITAP i Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byroja INL e Departamentit të Shtetit.

Sipas ambasadës, ”dy ekspertët përfunduan me sukses një kurs intensiv 10-javor për trajnim bazë dhe metodologji të poligrafit në Akademinë Ndërkombëtare të Poligrafit në Fort Lauderdale, Florida”.

Gjatë programit, ata zhvilluan mbi 400 orë trajnim në testime shkencore, vlerësimin e besueshmërisë, metodologjinë e intervistimit dhe etikën profesionale, duke fituar aftësinë për të kryer ekzaminime si në gjuhën shqipe ashtu edhe në anglisht.

Ambasada e SHBA-së vlerësoi se aftësitë e reja të ekzaminuesve do të mbështesin procesin e verifikimit të integritetit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për strukturat e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe duke e bërë Shqipërinë një partner më të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

/gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›