SHBA nis sot bllokadën, Izraeli e mbështet/ Irani kërcënon portet në Lindjen e Mesme

Ushtria amerikane njoftoi të hënën, më 13 prill se do të fillojë një bllokadë të gjithë porteve iraniane, me presidentin Donald Trump që po i bën presion Iranit në një lëvizje që mund të rrezikojë të rrisë çmimet e naftës.
Teherani u kundërpërgjigj menjëherë me kërcënime në të gjithë portet e Gjirit Persik dhe atij të Omanit.
“Siguria në Gjirin Persik dhe atij në detin e Omanit është ose për të gjithë ose për asnjë. Asnjë port në rajon nuk do jetë i sigurt”, tha Republika Islamike e Iranit, raporton Associated Press.
Komanda e Ushtrisë Amerikane njoftoi se bllokada do fillojë të hënën në orën 10:00 (sipas orës Lindore të SHBA-ve).
“Forca do përdoret ndaj të gjitha mjeteve që hyjnë apo dalin nga portet e Iranit”, thuhet në një njoftim nga SHBA-të. Por do lejohen të lëvizin të gjitha anijet që nuk kalojnë tranzit nga portet iraniane.
Marina tha se mbi 40 anije komerciale kanë kaluar që nga fillimi i armëpushimit mes SHBA-ve e Iranit.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se, Tel Avivi mbështet bllokadën detare të vendosur nga SHBA-të ndaj porteve iraniane.
Në një videomesazh drejtuar kabinetit të tij, kryeministri izraelit u shpreh: “Presidenti Trump vendosi për një bllokadë detare ndaj tyre. Ne, sigurisht, e mbështesim këtë qëndrim të vendosur.”
Lëvizja vjen pas bisedimeve maratonë mes SHBA-ve dhe Iranit në Pakistan që u mbyll pa një marrëveshje.