SHBA pritet të zgjerojë listën e zezë për Ballkanin

Pasi Administrata Amerikane zgjati edhe me një vit emergjencën kombëtare të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001 lidhur me Ballkanin Perëndimor, pas kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë, paqes, por edhe korrupsionit alarmant, së shpejti pritet që SHBA të zgjerojë listën e të shpallurve të padëshiruar me emra të tjerë politikanësh nga rajoni.
Bëhet fjalë për politikanë në Serbi, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.
Në një nga pikat kyçe të urdhrit ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar dy muaj më parë nga presidenti Bajden thuhet se veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanin Perëndimor dhe situata aktuale në rajon, vazhdojnë të paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtin dokument, presidenti amerikan argumentoi arsyet pse emergjenca kombëtare për Ballkanin Perëndimor duhet të mbetet në fuqi edhe për një vit. Më 8 qershor të vitit 2021, SHBA zgjeroi fushëveprimin e kësaj emergjence kombëtare, pasi u tha se vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, gjatë dy dekadave të fundit janë përballur me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës. Ambasadorët amerikanë në rajonin e Ballkanit vazhdimisht kanë paralajmëruar për zgjerimin e listës së zezë për të gjithë ata që kërcënojnë dhe pengojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
Gazetare Vjollca Zharri
/ rtsh.al /