E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA veto rezolutës për Gazën, Izraeli: Po i bëni jehonë porpagandës së Hamasit

SHBA-të i  kanë vënë veton për të gjashtën herë një projektrezolute  në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që do të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza dhe lirimin e pengjeve.

E dërguara amerikane për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus, tha se teksti i kësaj rezolute nuk dënon Hamasin dhe nuk njeh  të drejtën  e Izraelit për të mbrojtur veten.

“Kundërshtimi i SHBA-së ndaj kësaj rezolute nuk do të jetë surprizë. Ajo nuk arrin të dënojë Hamasin ose të njohë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten, dhe gabimisht legjitimon narrativat e rreme në dobi të Hamasit. Anëtarët e Këshillit e injoruan kur Shtetet e Bashkuara e bënë të qartë se kjo rezolutë ishte e papranueshme”, tha Orgatus.

Përfaqësues i Përhershëm në Kombet e Bashkuara i Izraelit Danny Danon e cilësoi  këtë dokument jo serioz.

“E di që shumë prej jush janë diplomatë seriozë, por duke miratuar një projekt-rezolutë që guxon të nënkuptojë se Izraeli po i vret njerëzit e Gazës nga uria, ju i bëni jehonë propagandës së Hamasit. Pyeteni veten, a është vërtet një zgjedhje që jeni të përgatitur ta mbroni? A është ky roli që dëshironi të luani? Duke recituar skenarin në vend që të thoni të vërtetën? Faktet janë fakte. Kalimet janë të hapura. Ndihma humanitare po hyn në Gaza përmes katër pikave aktive të hyrjes”, tha Danon.

Ndërsa  Vëzhguesi  i Përhershëm në Kombet e Bashkuara i  Palestinës, Riyad Mansour u shpreh  se kjo rezoulutë përfaqëson minimumin e domosdoshëm që diktojnë njerëzimi, ligjshmëria dhe morali.

“Foshnje që vdesin nga uria. Snajperë që qëllojnë fëmijë në kokë. Civilë të vrarë në masë. Familje të zhvendosura vazhdimisht nga rrënojat në rrënoja dhe nga vdekja në vdekje. Personeli i OKB-së, mjekët, humanitarët dhe gazetarët në shënjestër. Shkatërrimi ka  bërë pluhur një shoqëri të tërë. Dhe zyrtarët izraelitë talleshin hapur me të gjitha këto dhe duke lavdëruar vlerën e vërtetë shtetërore të Gazës. Kjo projektrezolutë përfaqëson minimumin e domosdoshëm që diktojnë njerëzimi, ligjshmëria dhe morali”, tha Mansour.

Ky votim i fundit në OKB erdhi vetëm disa ditë para se udhëheqësit botërorë të mblidhen për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku Gaza do të jetë një temë kryesore dhe disa nga aleatët kryesorë të Amerikës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, pritet të njohin një shtet të pavarur palestinez./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›