SHËN PETERBURG – Putini përsërit kushtet territoriale për paqe në Ukrainë

SHËN PETERBURG, 5 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti rus, Vladimir Putin përsëriti dje në mbrëmje, kërkesën e tij për kontroll të plotë mbi rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, si kusht për arritjen e paqes me Ukrainën, gjatë një takimi me përfaqësues të medieve ndërkombëtare në Shën Peterburg.
Në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Peterburgut (SPIEF), Putini deklaroi se kjo kërkesë territoriale nuk bie ndesh me gatishmërinë e tij për dialog me Kievin.
“Ne jemi pa dyshim të gatshëm të arrijmë një marrëveshje me Ukrainën”, tha ai.
Putini shtoi se çdo zgjidhje e konfliktit duhej të bazohej në marrëveshjet, e arritura gjatë bisedimeve me presidentin amerikan Donald Trump, në Alaska vitin e kaluar, megjithëse rezultatet konkrete të atyre takimeve nuk janë bërë kurrë publike.
Presidenti rus përsëriti gjithashtu pretendimet e hershme të Moskës mbi ecurinë e luftës, duke deklaruar se forcat ruse po përparojnë në disa fronte.
Sipas tij, Ukraina po përballet me mungesa të theksuara personeli ushtarak, ndërsa humbjet mujore dhe dezertimet tejkalojnë ndjeshëm numrin e rekrutimeve të reja.
Putini vlerësoi se Ukraina ka një deficit prej rreth 30 000 ushtarësh në muaj, përfshirë 15 000 rekrutë që, sipas tij, mobilizohen me detyrim.
Këto shifra ndryshojnë ndjeshëm nga të dhënat zyrtare të Kievit, sipas të cilave më shumë se 30 000 persona i bashkohen forcave të armatosura çdo muaj.
Për të mbështetur kërkesën e tij për kontrollin e plotë të rajonit lindor të Donbasit, Putini iu referua edhe avancimeve të pretenduara të ushtrisë ruse.
Ai deklaroi se forcat ruse kanë marrë nën kontroll 2,440 kilometra katrorë territor gjatë këtij viti.
Megjithatë, vëzhguesit ushtarakë ukrainas vlerësojnë se Rusia ka pushtuar më pak se 700 kilometra katrorë që nga fillimi i vitit, ndonëse forcat ruse vazhdojnë të avancojnë me ritëm të ngadaltë. //a.i/