SINTEZË – Nga Elon Musk te ish-princi Andrew mes njerëzve të fuqishëm të përmendur në dosjet Epstein

NJU JORK, 2 shkurt /ATSH/ – Nga titanë të teknologjisë te figura të fuqishme të Wall Street-it dhe personalitete të huaja shtetërore, një listë emrash të njohur burrash të fuqishëm shfaqen në grumbullin e madh të dokumenteve të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me hetimet për Jeffrey Epstein, sipas AP.
Të gjithë kanë mohuar çdo përfshirje në abuzimet seksuale ndaj vajzave dhe grave të reja.
Megjithatë, disa prej tyre kanë ruajtur miqësi me Epstein, ose i kanë krijuar ato më vonë, edhe pasi raportimet mediatike e bënë atë gjerësisht të njohur si abuzues i dyshuar i vajzave të mitura.
Asnjë prej tyre nuk është akuzuar për ndonjë krim të lidhur me hetimin.
Epstein vrau veten në qelinë e një burgu në Manhattan në vitin 2019.
Ja një përmbledhje e disa prej emrave më të njohur të përmendur në dosjet Epstein:
Andrew Mountbatten-Windsor
Burri i njohur më parë si Princi Andrew i Britanisë së Madhe është ndjekur prej vitesh nga pyetje mbi marrëdhënien e tij me Epstein përfshirë akuzat e së ndjerës Virginia Roberts Giuffre se ajo ishte trafikuar nga Epstein dhe ishte udhëzuar të kryente marrëdhënie seksuale me Mountbatten-Windsor kur ishte 17 vjeçe.
Ish-princi e ka mohuar vazhdimisht këtë, por vëllai i tij, Mbreti Charles III, ia hoqi titujt mbretërorë në fund të vitit të kaluar, përfshirë të drejtën për t’u quajtur princ dhe Duka i Jorkut.
Emri i Mountbatten-Windsor shfaqet të paktën disa qindra herë në dokumentet e publikuara të premten, përfshirë email-e private të Epstein.
Mes korrespondencës përfshihet një ftesë për Epstein-in për të darkuar në Pallatin Buckingham, oferta e tij për ta njohur Mountbatten-Windsor me një grua ruse 26-vjeçare, si dhe fotografi që duket se e tregojnë Mountbatten-Windsor të gjunjëzuar mbi një grua të paidentifikuar të shtrirë në dysheme.
Sarah Ferguson
Në mars të vitit 2011, Sarah Ferguson, atëherë Dukesha e Jorkut, kërkoi ndjesë publike që kishte lejuar Jeffrey Epstein të shlyente disa nga borxhet e saj. Ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, ish-princi Andrew, ishin nën presion të madh publik për vazhdimin e marrëdhënieve miqësore me Epstein edhe pasi ai u deklarua fajtor për kërkim prostitucioni nga një e mitur.
Ajo i tha gazetës “Evening Standard” se nuk do të kishte “kurrë më asgjë të bënte me Jeffrey Epstein”.
Por, vetëm dy muaj më vonë, ajo i dërgoi atij email duke i thënë se do të shfaqej në emisionin e Oprah Winfrey dhe kërkonte këshilla se si t’u përgjigjej pyetjeve mbi marrëdhënien e tyre.
“Dua vetëm të sigurohem që je në dijeni të kësaj dhe të marr këshillën tënde se si do të dëshiroje të përgjigjesha”, shkruante Ferguson.
Elon Musk
Themeluesi miliarder i ”Tesla”-s shfaqet disa herë në dokumentet e publikuara të premten, veçanërisht në emaile mes viteve 2012 dhe 2013, ku diskutohej për vizita të mundshme në ishullin famëkeq të Epstein në Karaibe.
Nuk është e qartë nëse këto vizita u realizuan.
Zëdhënësit e kompanive të Musk, ”Tesla” dhe X, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të premten ose të shtunën.
Musk ka deklaruar se i ka refuzuar vazhdimisht ftesat e Epstein-it.
”Epstein u përpoq të më çonte në ishullin e tij dhe unë refuzova”, shkroi ai në X në vitin 2025.
Richard Branson
Themeluesi miliarder i ”Virgin Group” shkëmbeu shumë emaile me Epstein.
Në një shkëmbim të vitit 2013, Branson e ftoi Epstein në ishullin e tij privat në Karaibe, i cili shpesh pret konferenca, evente bamirësie dhe takime biznesi.
“Sa herë që je në zonë do të doja të të shihja, me kusht që të sjellësh haremin tënd!”, i shkruan ai.
Në një tjetër mesazh të atij viti, ai sugjeroi që Epstein të rehabilitonte imazhin e tij duke bindur bashkëthemeluesin e Microsoft-it, Bill Gates, të fliste publikisht se Epstein kishte qenë “një këshilltar i shkëlqyer” dhe se “e kishte mësuar mësimin dhe nuk kishte bërë asgjë kundër ligjit që prej asaj kohe”.
Kompania theksoi në një deklaratë se nuk kishte pasur asnjë keqbërje nga ana e Branson-it dhe se çdo kontakt kishte qenë “i kufizuar në ambiente grupore ose biznesi” më shumë se një dekadë më parë.
Donald Trump
Prej kohësh dihet se Epstein dhe Trump kishin qenë miq përpara se të prishnin marrëdhëniet.
Dokumentet e reja përmbajnë mijëra referenca për Trump, shumica e të cilave nuk hedhin dritë të re mbi marrëdhënien mes tyre.
Ato përfshijnë email-e ku Epstein dhe të tjerë ndanin artikuj lajmesh për Trumpin, komentonin politikat e tij ose bënin thashetheme për familjen e tij.
Departamenti i Drejtësisë publikoi gjithashtu një tabelë të përgatitur në gushtin e kaluar që përmbledh telefonata të bëra në linjat e raportimit për Trumpin, shumica e të cilave u konsideruan jo të besueshme.
Bill Clinton
Ashtu si Trump, edhe Clinton kaloi kohë me Epsteinin më shumë se dy dekada më parë, përfshirë fluturime me avionin e tij privat dhe vizita në Shtëpinë e Bardhë.
Clinton ka mohuar çdo dijeni për krimet e Epsteinit.
Përfaqësuesit e tij thonë se ai i ndërpreu marrëdhëniet pas akuzave të para penale në vitin 2006.
Asnjë nga viktimat e Epsteinit nuk e ka akuzuar publikisht Clinton.
Steven Tisch
Bashkëpronari i ”New York Giants” përmendet më shumë se 400 herë në dosje.
Emailet tregojnë se Epstein i ofronte ta lidhte me gra të ndryshme ndër vite.
Tisch ka pranuar se e njihte Epstein, por ka mohuar se ka vizituar ndonjëherë ishullin e tij.
Brett Ratner
Regjisori i filmit dokumentar për Melania Trump shfaqet në disa fotografi të përfshira në dosjet qeveritare, ku shihet në shoqërinë e Epstein, Jean Luc Brunel dhe disa grave të reja.
Ratner nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Casey Wasserman
Presidenti i komitetit për Lojërat Olimpike Verore 2028 në Los Anxheles shkëmbeu emaile flirtuese me Ghislaine Maxwell.
Ai deklaroi se nuk kishte pasur marrëdhënie personale apo biznesi me Epstein-in dhe se i vinte keq për korrespondencën me Maxwell, e cila ndodhi “shumë përpara se krimet e saj të tmerrshme të bëheshin të njohura”.
Ehud Barak
Ish-kryeministri izraelit dhe bashkëshortja e tij shfaqen shpesh në dokumente, duke treguar kontakte të vazhdueshme me Epstein-in edhe pas deklarimit të tij fajtor në vitin 2008.
Barak ka pranuar vizitat, por mohon të ketë parë ndonjë sjellje të papërshtatshme.
Larry Summers
Ish-sekretari amerikan i Thesarit dhe ish-presidenti i Harvard ka pranuar se marrëdhëniet me Epstein ishin “një gabim i madh gjykimi”.
Howard Lutnick
Sekretari amerikan i Tregtisë ka vizituar ishullin privat të Epstein-it me familjen e tij, sipas dokumenteve, gjë që bie ndesh me deklaratat e mëparshme të tij se i kishte ndërprerë marrëdhëniet.
Sergey Brin
Bashkëthemeluesi i Google kishte planifikuar takime me Epstein dhe Maxwell përpara se akuzat për abuzime seksuale të bëheshin publike.
Steve Bannon
Ish-këshilltari i Trumpit shkëmbeu qindra mesazhe miqësore me Epsteinin, përfshirë diskutime për politikën dhe një dokumentar që mund të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të tij.
Miroslav Lajçak
Këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit sllovak dha dorëheqjen të shtunën pasi komunikimet e tij me Epsteinin u shfaqën në dokumente.
Ai nuk është akuzuar për ndonjë keqbërje dhe tha se kontaktet kishin qenë pjesë e detyrave diplomatike./ /Ad.Ab./ a.jor.