E Diel, 1 Nëntor 2026

NJU JORK – Ish-presidentja e Kilit, Bachele kandidon për postin e sekretares së përgjithshme të OKB-së

BUENOS AIRES, 2 shkurt /ATSH-DPA/- Ish-presidentja e Kilit, Michelle Bachelet, është zyrtarisht një kandidate për të kryesuar Kombet e Bashkuara, tha sot presidenti në detyrë i vendit, Gabriel Boric.

“Kandidatura e politikanes 74-vjeçare për postin e sekretares së përgjithshme të OKB-së mbështetet nga Brazili dhe Meksika, vendet më të populluara në Amerikën Latine”, njoftoi Boric, në Santiago.

“Përvoja e gjerë e Bachelet ofron një kontribut thelbësor në punën e Kombeve të Bashkuara në një kohë kur bota ka nevojë për më shumë besim, më shumë bashkëpunim dhe më shumë përgjegjësi të përbashkët”, theksoi ai.

Deri më tani, vetëm kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), shtetasi argjentinas Rafael Grossi, ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për të pasuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.

Ish-nënkryetarja e Kosta Rikës, Rebeca Grynspan, ka shprehur gjithashtu interes.

Boric tha se kandidatura e Bachelet do të lançohej zyrtarisht sot në Nju Jork.

Deri më sot, Kombet e Bashkuara nuk janë udhëhequr kurrë nga një grua. Posti do të zëvendësohet nga një kandidat i ri më 1 janar 2027.

Bachelet ishte presidente e Kilit nga viti 2006 deri në vitin 2010 dhe nga viti 2014 deri në vitin 2018. Më pas ajo drejtoi Komisionin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut për katër vjet.

Pavarësisht vështirësive të paraqitura nga mjedisi sfidues gjeopolitik, ish-presidentja tha se mbetej e përkushtuar për forcimin e instrumenteve të multilateralizmit dhe modernizimin e OKB-së.

Në fjalimin e saj të parë si kandidate për sekretare të përgjithshme, Bachelet e përshëndeti organizatën si forumin më të rëndësishëm në botë për takime, dialog dhe kërkim të zgjidhjeve të përbashkëta. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›