SIRI – Të paktën 57 të vdekur nga përleshjet mes militantëve dhe forcave qeveritare siriane

BEJRUT, 27 nëntor /ATSH-DPA/- Numri i të vdekurve nga përleshjet mes militantëve dhe forcave qeveritare siriane në Sirinë veriperëndimore është rritur në 57, tha sot Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Grupi monitorues raportoi se në luftimet që shpërthyen në veriperëndim të vendit në provincën e Alepos, ishin vrarë 31 ushtarë sirianë.
Grupi me qendër në Britaninë e Madhe tha se një aleancë e grupeve rebele islamike kishte sulmuar pozicionet e forcave të armatosura siriane, në zonat rurale në perëndim të Aleppos.
Ushtria siriane u përgjigj me sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake që i përkasin organizatës ekstremiste islamike Hayat Tahrir al-Sham (HTS), e cila konsiderohet si një nga grupet e armatosura më të forta në veriperëndim të Sirisë, si dhe objektiva civile.
Observatori tha se të paktën një i mitur ishte në mesin e viktimave.
Më herët, monitoruesi i luftës tha se të paktën katër civilë ishin vrarë dhe 12 të tjerë ishin plagosën, përfshirë tetë fëmijë, në zonat rurale pranë Idlibit – bastioni i fundit i rebelëve në Siri.
Ai shtoi se rebelët vazhdojnë të avancojnë në zonat e kontrolluara nga qeveria në perëndim të Alepos.
Një luftë civile shkatërruese shpërtheu në Siri në vitin 2011.
Me ndihmën e aleatëve të Sirisë, Rusisë dhe Iranit, presidenti Bashar al-Assad ka rimarrë kontrollin e dy të tretave të vendit, por veriperëndimi është ende nën kontrollin e forcave opozitare. //a.i/