E Martë, 3 Nëntor 2026

SKOCI – Swinney: Vizita e Trumpit nuk e “vendos në një pozicion të dëmshëm”policinë në vend

EDIMBURG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Forcat e rendit në Skoci nuk do të “vendosen në një pozicion të dëmshëm” për shkak të kostove të vizitës së presidentit Donald Trump, deklaroi sot kryeministri skocez John Swinney.

Presidenti i SHBA-së pritet të mbërrijë në Skoci këtë javë dhe të vizitojë të dy fushat e tij të golfit në vend, por janë ngritur shqetësime për  një operacion të gjerë të sigurisë.

Gjatë vizitës së tij të fundit të presidentit Trump në Skoci, kur  ai nuk ishte në detyrë, pati protesta të shumta.

Ai pritet të takohet si me kryeministrin britanik Keir Starmer, ashtu edhe me  Swinney gjatë qëndrimit të tij në Skoci.

Të gjithë oficerët e kontaktit të Policisë së Skocisë pritet të angazhohen për të përballuar protestat gjatë vizitës, ndërsa është kërkuar ndihmë edhe nga forca të tjera policore.

“Policia skoceze do të merret me rrethanat që do të paraqiten në lidhje me operacionin e sigurisë,” tha kryeministri Swinney. “Ne do të bashkëpunojmë me Policinë e Skocisë, Autoritetin Policor të Skocisë dhe me qeverinë e Britanisë së Madhe për kostot”, shtoi ai

I pyetur nëse fondet do të dalin nga buxheti aktual i policisë, kryeministri u përgjigj:
“Do të punojmë ngushtë me Policinë e Skocisë për financimin e këtij operacioni dhe do të sigurohemi që shërbimi i policisë në Skoci të mos dëmtohet për shkak të vizitës së presidentit Trump”.

Ndërkohë, një zyrtare e lartë e policisë i bëri thirrje atyre që planifikojnë të protestojnë gjatë vizitës së Trump që të respektojnë ligjin.

Duke folur sot me gazetarët, ndihmëskomisionerja Emma Bond inkurajoi grupet protestuese që të diskutojnë paraprakisht planet e tyre me policinë.

“Ky është një operacion i madh dhe kompleks, por policia e Skocisë ka përvojë të jashtëzakonshme në organizimin e ngjarjeve të tilla”, tha ajo.

Plani i sigurisë përfshin oficerë lokalë, kombëtarë dhe specialistë nga policia e Skocisë, si dhe nga forca të tjera të mbështetjes.

“Qëllimi kryesor është të sigurojmë që presidenti i Shteteve të Bashkuara  të Amerikës të ketë një vizitë të sigurt dhe paqësore në Skoci, ndërsa policia e Skocisë të vazhdojë të ofrojë shërbimet e saj për komunitetin gjatë kësaj periudhe”, shtoi ajo. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›