E Martë, 3 Nëntor 2026

MUZIKË – Ozzy Osbourne, ylli i “heavy metal” vdes në moshën 76-vjeçare

LOS ANXHELES, 22 korrik /ATSH/- Ozzy Osbourne, ylli i “heavy metal” vdiq sot në moshën 76-vjeçare – disa javë pasi u ribashkua me grupin e tij “Black Sabbath” dhe performoi në një koncert të madh lamtumire për fansat, sipas “Sky News”.

“Me shumë trishtim njoftojmë se Ozzy Osbourne vdiq këtë mëngjes”, tha në një deklaratë familja e tij.

“Nuk e keni idenë se si ndihem. Ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime”, u tha fansave Osbourne – ndërsa performonte në skenën në Villa Park, më pak se tre javë më parë.

Koncerti përfshiu performanca nga disa nga grupet e tij të preferuara, si Metallica dhe Guns’n’Roses.

Osbourne ishte pionier i “heavy metal” me Black Sabbath – përpara se të arrinte një sukses të madh solo.

Ai ishte i njohur për hitet e tij, duke përfshirë “Iron Man”, “Paranoid”, “War Pigs”, “Crazy Train” dhe “Changes”, si me grupin ashtu edhe solo.

Ozzy Osbourne, gjithashtu mori pjesë në një reality show në MTV në vitet 2000, “The Osbournes” – ku shfaqej jeta kaotike e yllit të rritur në Birmingham, me bashkëshorten e tij Sharon dhe dy nga fëmijët e tyre, Kelly dhe Jack.

Ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit dhe nga disa probleme të tjera shëndetësore vitet e fundit, duke përfshirë ndërlikime nga një rënie në vitin 2019.

Pasi u detyrua të anulonte koncertet e turneut, Ozzy Osbourne u shfaq papritur në skenë në Birmingham në mbylljen e Lojërave të Komonuelthit në vitin 2022.

Koncerti në Villa Park u njoftua këtë vit nga Sharon, e cila tha se do të donte t’u dhuronte fansave “lamtumirën perfekte”.

Ozzy Osbourne ka marrë një yll në “Hollywood Walk Of Fame” – si dhe në “Broad Street” të Birminghamit.

Ai u vlerësua me çmimin “Ivor Novello” dhe fitoi pesë çmime “Grammy” nga 12 nominime.

Gjithashtu, ai u nderua me çmimin NME “Godlike Genius” dhe çmimiin “Legjenda e Gjallë e Classic Rock”. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›