E Hënë, 2 Nëntor 2026

SOFT NEWS – Pheniani pezullon papritur turistët e huaj në resortin e ri bregdetar

PHENIAN, 19 korrik /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut ka ndaluar përkohësisht pranimin e turistëve të huaj në një resort të ri bregdetar që sapo është hapur, njoftoi këtë javë Administrata Kombëtare e Turizmit, vetëm pak ditë pasi diplomati më i lartë rus vizitoi vendin.

Resorti i madh ndodhet në bregun lindor të vendit dhe është një projekt personal i liderit Kim Jong Un. Ai u hap për vizitorët vendas në fillim të këtij muaji dhe u promovua me bujë nga media shtetërore.

Media koreano-jugore e ka quajtur zonën turistike Wonsan-Kalma si Waikiki-n e Koresë së Veriut.

Zona përmban hotele, parqe uji dhe sipas raporteve mund të akomodojë rreth 20 000 persona.

Më parë, mediat shtetërore kishin deklaruar se grupe turistësh rusë pritej të vizitonin Wonsan-in gjatë muajve në vijim.

Por, pas vizitës së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, Administrata e Turizmit njoftoi në një deklaratë në faqen e saj zyrtare se “turistët e huaj nuk pranohen përkohësisht”,  pa dhënë ndonjë sqarim shtesë.

Analistët thonë se Kim Jong Un ka treguar interes të madh për zhvillimin e industrisë së turizmit në vitet e para të sundimit të tij, me fokus të veçantë në zonën bregdetare.

Para hapjes së resortit, ai deklaroi se ndërtimi i kësaj zone do të ishte “një nga sukseset më të mëdha të vitit” dhe se Koreja e Veriut do të ndërtojë më shumë zona turistike në shkallë të gjerë “në kohën më të shkurtër të mundshme”.

Javën e kaluar, Kim zhvilloi bisedime në Wonsan me ministrin  Lavrov, ku i ofroi Rusisë mbështetje të plotë dhe “të pakushtëzuar” për luftën në Ukrainë, raportoi agjencia shtetërore KCNA.

Lavrov e përshëndeti projektin bregdetar duke e quajtur një “atraksion turistik të mirë”, dhe shtoi se do të bëhet i popullarizuar si për vizitorët vendas, ashtu edhe për ata rusë që kërkojnë destinacione të reja.

Para vizitës së Lavrovit, Rusia njoftoi se do të nisë fluturime dy herë në javë midis Moskës dhe Phenianit./  /Ad.Ab./

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›