SPAK akuza të reja për Veliajn, GJKKO vendos sekuestrimin e dy pasurive

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur sot se nga hetimet e deritanishme rezulton se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin për kryerjen e një tjetër vepre penale nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në Durrës, që prej datës 10 shkurt 2025.
SPAK ka regjistruar procedimin penal të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga Kodi Penal.
Përmes një njoftimi për shtyp, SPAK bëri të ditur se pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E.V. dhe A.X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga Kodi Penal.
“Për këtë shkak, më datë 20 maj 2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart”, njofton SPAK.
Në vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20 maj 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasuritë e paluajtshme të regjistruara në ASHK në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk.
“Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E.V. dhe A.X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë”, thuhet në njoftimin e SPAK.
/m.m/r.e/