SPAK dërgon për gjykim Jorgo Goron, ish-kryebashkiaku i Himarës akuzohet për shpërdorim detyre e mosdeklarim pasuire

SPAK dërgon për gjykim ish- kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro për “shpërdorim detyre” dhe “mosdeklarim të ardhurash në bashkëpunim”.
Për gjykim u dërgua edhe vartësi i tij, Jerasimo Bashi, ish Drejtori i Mbrojtjes së Territorit dhe ish- zyrtarët e Kadastrës, Bilbil Aliaj,Vezir Gjikokaj dhe Stavri Mëhillin që sipas prokurorisë përfitoi tokë përmes dokumenteve tërësisht të falsifikuara.
Për ish-drejtuesin e bashkisë së Himarës, SPAK thotë se është e provuar përtej çdo dyshimi se ai i kryer të dyja veprat penale për të cilat akuzohet dhe e ka shpërdoruar detyrën në dy raste.
Episodi i parë, mban datën 18 mars 2019 dhe ka të bëjë më bashkëpunimin e ish- kryebashkiakut me drejtorin e menaxhimit të territorit Jerasimo Bashi për dërguar në një zyrë hipotekore dokumente e regjistrimit të një pasurie për të cilën prokuroria thotë se dokumentacioni ishte i rremë.
Shkresat kishin të bënin me privatizimin e një tokë bujqësore prej 5512 metrash katrorë duke i hequr shtetit pronësinë që më herët gëzonte mbi të.
Momenti i dytë që dyshohet se Jorgo Goro ka shpërdoruar detyrën ka të bëjë me zhvendosjen në dokumente të një toke bujqësore, prej 5080 metrash katrorë në mënyrë që të mund ta bashkonte në një të vetme me njeë tjetër sipërfaqe të konsideruesme.
SPAK ka kryer edhe hetim pasuror që çoi në zbulimin e transaksioneve mes Stavri Mëhillit, i cili përfitoi tokën në mënyrë të paligjshme dhe një subjekti tregtar që do të ndërtonte një kompleks në truallin që u tjetërsua.
Ndërkohë sa i takon akuzës së dytë, asaj të mosdeklarimit të të ardhurave, Goro dyshohet se ka fshehur një apartament në Tiranë me sipërfaqe, 81 metër katrorë që ishte në pronësi të dikujt tjetër, por që hetimet kanë provuar se pronari faktik i tij është ish- kryebashkiaku.
Nuk ekziston asnjë gjurmë thotë SPAK në deklarimet vjetore të ish- kreut të bashkisë për ta njohur si pasuri të tij, ndaj këtë apartament Prokuroria e Posaçme e vuri nën sekuestro./vizionplus.tv