E Hënë, 2 Nëntor 2026

SPAK dërgon për gjykim katër të pandehur për shitblerje votash në zgjedhjet e prillit 2021

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ndoc Gurin dhe Arben Kolajn, të akuzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje” si dhe Ndrekë Lera dhe Ilir Sokolin, të akuzuar për veprën penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

SPAK njoftoi sot se “nga analiza e provave të grumbulluara në kuadër të këtij hetimi rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës”.

“Skema korruptive konsiston në një model të organizuar të blerjes së votës, ku individë të lidhur me një forcë politike kanë ofruar shuma të caktuara parash (rreth 5 000 lekë për votë) për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK “gjatë hetimeve, janë përdorur mjete të posaçme të hetimit, përfshirë përgjime telefonike, të cilat kanë evidentuar se shtetasi Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik”.

“Për sa më lart, nga tërësia e hetimeve të kryera, bazuar në provat e marra gjatë hetimeve paraprake, transkriptimeve të përgjimeve telefonike, deklarimet e shtetasve të dyshuar si dhe pas studimit të dokumentacionit të administruar, rezulton se shtetasit Ndreke Lera dhe Ilir Sokoli, me veprimet e tyre, kane konsumuar elementë të veprës penale penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj kanë konsumuar elementet e veprës penale “Korrupsoni pasiv në zgjedhje””, njoftoi SPAK.

/m.q/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›