“SPAK është në rrugën e duhur”, Muçi: Duhet të ketë më shumë mbështetje nga publiku

Redi Muçi, deputet i “Lëvizja Bashkë”, ishte i ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt. Gjatë diskutimit për drejtësinë e re dhe rolin e SPAK-ut, Muçi theksoi se pavarësisht problematikave dhe rezistencës politike, hetimi i “peshqve të mëdhenj” tregon se sistemi është në rrugën e duhur, por ka nevojë për më shumë mbështetje nga publiku.
Pranvera Borakaj: Agron Shehaj po mbledh 100 mijë firma që ne mbështesim drejtësinë e re. Ju jeni pro kësaj që po ndodh në sistemin e drejtësisë apo keni rezerva për mënyrën se si po operon drejtësia e re?
Redi Muçi: Kryefjala duhet të ishte hetimi i peshqve të mëdhenj. Fakti është që me të gjitha problematikat e veta siç mund të ketë një institucion që ndërtohet rishtazi, megjithë mungesën e gjykatësve, prokurorëve, stafit, ka pasur problematika por fakti që është hetuar Meta, Berisha,Veliaj dhe tani kanë shkuar te Balluku…të bën të kuptosh që është në rrugën e duhur, veçse has në rezistencë. Logjika ta do që një organ i tillë i ri që të arrinte sa më lart duhet ta niste nga njerëzit pa pushtet për të arritur te kryeministri. Këtë rrugë ka ndjekur. SPAK është në rrugën e duhur, një faktor shumë i rëndësishëm në punën që bën SPAK dhe drejtimin që merr SPAK…në qoftë se faktori mbrapa sistemit të drejtësisë nuk do ishin vetëm ndërkombëtarët, por do kishte një impresion pozitiv që do vinte nga populli. Sikur të kishim një qasje pozitive për “heqjen qafe” të politikës së vjetër do ecte më mirë dhe më shpejt. Fakti është që ka ngelur vetëm të ndërkombëtarët.